Ky artikull rreth shkencës përfshin një listë të burimeve, lexim të ndërlidhur, ose lidhje të jashtme, por burimet e tij qëndrojnë të paqarta sepse nuk ka citime në tekst. (shkurt 2025) |
Astronomia është shkencë natyrore që përfshin vrojtimin dhe shpjegimin e dukurive që ndodhin jashtë Tokës dhe atmosferës së saj. Ajo studion prejardhjen, zhvillimin, vetitë fizike dhe kimike të të gjitha trupave jashtë tokësorë që mund të vrojtohen në qiell, së bashku me të gjitha proçeset (ecuritë) në të cilat ato përfshihen. Me ndryshimin e kohërave kanë ndryshuar dhe degët e saj të studimit. Gjatë një pjese të mirë të shekullit XX, astronomia ishte menduar të ndahej në astrometri, mekanikë qiellore dhe astrofizikë. Nga të treja, astrofizika, është dega më e njohur pasi në shumë universitete përfshihet në degë kërkimi dhe zhvillimi.
Astronomia është ndër të paktat shkenca ku amatorët luajnë ende një rol, sidomos në zbulimin dhe vëzhqimin e dukurive qiellore. Astronomia nuk duhet ngatërruar me astrologjinë, apo pseudoshkencat të cilat përpiqen të zbulojnë fatin e njerëzve duke vrojtuar lëvizjen e trupave qiellorë. Megjithëse të dyja bazohen tek të njëjtat parime (vrojtimin e qiellit), ato janë të ndryshme: astronomia bazohet në studimin sipas metodave shkencore, ndërsa astrologjia nuk ka baza në metoda të tilla.