Pseudoshkenca konsiston në deklarata, besime ose praktika për të cilat pretendohet se janë shkencore dhe faktike, por të cilat në fakt janë të papajtueshme me metodën shkencore. Pseudoshkenca shpesh karakterizohet nga pretendime kontradiktore, të ekzagjeruara ose të papranueshme; mbështetja në paragjykime më tepër sesa në përpjekje rigoroze shkencore; mungesa e hapjes për vlerësim nga ekspertë të tjerë; mungesa e praktikave sistematike gjatë zhvillimit të hipotezave; dhe vazhdimi i angazhimit edhe shumë kohë pasi hipotezat pseudoshkencore janë diskredituar në mënyrë eksperimentale. Termi pseudoshkencë konsiderohet pezhorativ (përbuzës), [1] sepse sugjeron që diçka po prezantohet si shkencë në mënyrë të pasaktë apo edhe mashtruese. Ata që përshkruhen si praktikues ose mbrojtës të pseudoshkencës shpesh kundërshtojnë një karakterizimin të tillë.
Demarkacioni midis shkencës dhe pseudoshkencës ka implikime filozofike dhe shkencore. Diferencimi i tyre nganjëherë ka edhe implikime praktike si p.sh. në rastin e kujdesit shëndetësor, dëshmisë eksperte, politikave mjedisore dhe edukimit shkencor. Dallimi i fakteve shkencore dhe teorive nga besimet pseudoshkencore, siç janë ato që gjenden në astrologji, alkimi, mjekësi alternative, besime okulte, besime fetare dhe shkencë krijuese, është pjesë e edukimit shkencor ashtu si edhe shkrimit shkencor.
Pseudoshkenca mund të jetë e dëmshme. Për shembull, aktivizmi pseudoshkencor kundër vaksinimit dhe promovimi i ilaçeve homeopatike si trajtime alternative të sëmundjes mund të rezultojë në njerëz që shmangen nga një trajtim i rëndësishëm mjekësor me përfitime të dukshme shëndetësore. [2] [3] [4] [5] [6] [7]